Botë

Kriza e refugjatëve, G7 jep 1.8 miliardë dollarë për menaxhimin e saj

30.09.2015 18:12

Me iniciativën e Gjermanisë, vendet e G7-ës kanë akorduar një fond prej 1.8 miliardë dollarësh për të ndihmuar Kombet e Bashkuara dhe Organizatat Ndërkombëtare...

Me iniciativën e Gjermanisë, vendet e G7-ës kanë akorduar një fond prej 1.8 miliardë dollarësh për të ndihmuar Kombet e Bashkuara dhe Organizatat Ndërkombëtare në menaxhimin e krizës së refugjatëve.
 
Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, i cili tha pas takimit se nga kjo ndihmë do të përfitojnë edhe shtete si Turqia, Libani dhe Jordani:
 
“Kemi rënë dakord që të akordojmë një fond prej 1.8 miliardë dollarësh në drejtim të Kombeve të Bashkuara. Më saktësisht paratë do të shkojnë për Programin Botëror të Ushqimit dhe Agjencinë e Refugjatëve. Gjermania e vetme ka pranuar të dhurojë rreth 100 milion euro për organizatat humanitare. Nga ky vendim pritet të përfitojnë edhe shtete si Turqia, Libani dhe Jordania. Këto tre vende kanë vënë në dispozicion ndihmën e tyre për shumë emigrantë, ndaj edhe kanë nevojë për mbështetjen tonë”-tha ai.
 
Ndërkohë, një tjetër lajm i mirë vjen nga takimi i liderëve të G7-ës. Përveç kontributit të saj në këtë fond të përbashkët, Japonia ka bërë me dije se do të dhurojë e vetme plot 1.4 miliardë euro për menaxhimin e krizës.
 
Deklarata e shtetit ishullor në këtë mbledhje është disi e çuditshme, pasi në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara kryeministri i vendit, Shinzo Abe, u shpreh se Japonia nuk kishte ndërmend të pranonte asnjë azilkërkues.