“Arseni Jovkov”, 15 nxënës ankohen për djegsim në fyt dhe sy
Pesëmbëdhjetë nxënës të Shkollës së Mesme Ekonomike “Arseni Jovkov” në Shkup kanë kërkuar pasditen e djeshme ndihmë mjekësore, pasi kanë ndjerë djegsim në fyt dhe sy, që dyshohet të ketë ardhur nga një sprej i hedhur nga persona të panjohur...

Për shkak të gjendjes alarmante, menjëherë janë thirrur ekipet e ndihmës së shpejtë, të cilët kanë transportuar nxënësit dhe disa nga profesorët në Klinikën e Toksikologjisë në Shkup.
Nga kjo Klinikë bëjnë të ditur se shumica e nxënësve pas analizave janë lëshuar për kurim shtëpiak, ndërsa tre nxënës janë mbajtur për analiza shtesë. Zëdhënësja e MPB-së për Qytetin e Shkupit, Liza Bendevska, e konfirmoi incidentin, sipas të cilës rasti në polici është denoncuar rreth orës 18:30.
“Menjëherë në terren kanë dalë ekipet e policisë dhe janë duke i ndërmarrë të gjitha masat për ndriçimin e rastit”- ka deklaruar Bendevska.
Pas këtyre njoftimeve ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, dhe kryetari i qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, kanë vizituar nxënësit e Shkollës “Arseni Jovkov” në klinikat e Shkupit për t’u njohur më për së afërmi me gjendjen e tyre shëndetësore.
