Jahjaga në Amerikë, kërkon përkrahje për luftën kundër terrorizmit

01.10.2015 11:47

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjag, u prit sot në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Uashington, ku edhe takoi në Kapitol Hill anëtarët e lartë të Komitetit për Çështje të Jashtme të Kongresit amerikan, të kryesuar nga Kongresisti Ed Royce dhe anëtari i lartë i Komitetit, kongresisti Eliot Engel...

Ajo nga këta të fundit kërkoi përkrahje në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, edhe pse theksoi se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë luftë duke u bërë shembull në rajon, raporton lajmi.net.

Jahjaga falënderoi kongresistët amerikanë për përkrahjen e vazhdueshme që Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka dhënë për Kosovën. Ajo theksoi se Kosova është e lirë dhe e pavarur për shkak të ndihmës dhe përkrahjes së Kongresit amerikan.

Gjatë takimit ajo i njoftoi kongresistët për reformat e brendshme, konsolidimin e demokracisë së Kosovës dhe forcimin e sovranitetit. Presidentja theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave për të tërhequr investitorët e huaj, reforma këto që duhet të shoqërohen me një luftë të paprecedentë kundër korrupsionit.

“Presidentja Jahjaga gjithashtu informoi kongresistët me rrjedhën e dialogut për  normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe arritjen e marrëveshjeve të fundit. Ajo theksoi rëndësinë e vazhdimit të përkrahjes së Shteteve të Bashkuara për dialogun dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog”, thuhet në njoftim.

Kongresistët falënderuan Presidenten Jahjaga për vizitën dhe thanë se Kosova tashmë është një rrëfim i suksesit. Ata ritheksuan përkrahjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për aspirata e saja euroatlantike, zbatimin e reformave demokratike dhe zhvillimin ekonomik të vendit. (lajmi.net)