Tensione në Kuvendin e Kosovës, opozita bllokon punimet

01.10.2015 12:28

Opozita në Kosovë nuk ka lejuar zhvillimin e punimeve të kuvendit, duke insistuar në tërheqjen e nënshkrimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi në Bruksel për bashkësinë e komunave serbe...

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka dhënë 30 minuta pauzë dhe ka kërkuar që shefat e grupeve parlamentare të takohen në mbledhjen e kryesisë, pasi opozita ka bllokuar foltoren e Kuvendit.

Kjo është seanca e tretë ku opozita nuk po lejon mbajtjen e seancës, duke kërkuar tërheqjen e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka kundërshtuar qëndrimin e opozitës për ta bllokuar Kuvendin e Kosovës.

“Kjo që po ndodh nga kolegët e opozitës është një mohim i të drejtës së deputetit. Pakica po e mohon shumicën. Të gjithë deputetëve duhet t’iu lejohet mundësia të paraqesin qëndrimet dhe shqetësimet e tyre”- tha Grabovci.

Edhe Arben Gashi i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka kundërshtuar veprimin e opozitës. Por, deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka paralajmëruar se edhe pas pauzës 30 minutëshe të thirrur nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, opozita do të vazhdojë me bllokimin e punimeve të Kuvendit.

Ai ka bërë të ditur se opozita ka refuzuar ftesën e kryetarit Veseli për mbledhje të Kryesisë së Kuvendit. Kjo, sipas tij, shkaku se qëllimi i asaj mbledhjeje është që të bindet opozita të lejojë vazhdimin e seancës.