Konflikti në Siri - Khoja: Rusët vranë 36 civilë, Moska përgënjeshtron
Avionët rusë filluan dje sulmet e tyre ajrore në Siri, por duket se ata kanë targetuar rebelët anti-qeveri, shumë prej të cilëve mbështeten nga koalicioni i kryesuar nga SHBA-ja...

Zonat e sulmuara nga Moska janë të kontrolluara nga një grup rebelësh përfshi dhe ata që veprojnë nën flamurin e Ushtrisë së Lirë Siriane, sipas aktivistëve, vendasve e rebelëve.
Khaled Khoja, lideri i Koalicioni Nacional, që përfshinë grupet opozitare pohon se Sulmet ruse më 30 shtator, kanë vrarë 36 civilë në mesin e tyre pesë fëmijë. Sipas tij aktivistët kanë identifikuar 36 civilë, që kanë vdekur në qytetin Homs.
“Të gjithë viktimat ishin civilë.Ka qenë mjaft e qartë se intervenimi i Rusisë është për të mbështetur regjimin e Assadit, për të mbështetur më shumë vrasje në Siri dhe për të krijuar më shumë atmosferë kaosi”, thotë Khaled Khoja- lideri i Koalicionit Nacional në Siri.
Zëdhënësi i ministrisë së jashtme ruse i ka quajtur deklaratat e Khojes si “të pavërteta: dhe pjesë e “luftës informative.” Moska insiston se ka goditur 20 caqe të grupit të Shtetit Islamik, por Khoja thotë se aty nuk ka caqe.
Sulmet kanë goditur edhe një bazë të Armatës për Sirinë e Lirë, po që nuk ka pasur viktima. Një zyrtar amerikan më herët tha se sulmet ajrore ruse nuk duken se kanë targetuar territoret e zëna nga Shteti Islamik.
Rusia kishte paralajmëruar SHBA-në të tërhiqte avionët e saj nga Siria një orë përpara se sulmet të fillonin, duke i rritur disi tensioned mes Putinit dhe Obamës, të cilët “u përballën” gjatë takimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork këtë të hënë.
