Gostivar, hapet çerdhja e tretë publike

01.10.2015 14:19

Gostivari fitoi sot çerdhen e tretë publike, një investim prej 4 milion denarësh, në të cilin Komuna e Gostivarit ka kontribuar me 2 e 800 mijë denarë...

Çerdhja ka kapacitet për përkujdesje për 120 fëmijë.

Kreu i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, thotë se kjo çerdhe e re u hap pas kërkesës së shtuar të nënave të reja të cilat tashmë punësohen gjithnjë e më shumë dhe dy çerdhet ekzistuese nuk plotësonin kërkesat e tyre.

“Kërkesat nga ana prindërve ishin shumë të mëdha, prandaj vendosëm që në kuadër të Çerdhes së nxënësve të adaptojmë dhe përshtatim ambiente për funksionimin e çerdhes së tretë publike në qytetin e Gostivarit, që vendosëm ta quajmë “Bleta”. Objekti ka kapacitet për 120 fëmijë, 4 deri 6 vjeç, dhe do të shpërndahen në katër grupe”- deklaroi kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.

Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov, u shpreh se ky investim në Komunën e Gostivarit është pjesë e investimeve të shumta në nivel republikan për hapjen e çerdheve të reja për parashkollorët.

Në çerdhet e Gostivarit aktualisht janë të akomoduar rreth 600 fëmijë të moshës parashkollore. Vitin e kaluar, në Komunën e Gostivarit u hapën edhe dy qendra për zhvillim të hershëm të fëmijëve në fshatin Debresh dhe lagjen Tullana. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)