Plomp takon Ahmetin dhe Thaçin, diskutohet Marrëveshja e 2 qershorit

01.10.2015 15:54

Zhvillimet politike në vend, zbatimi i marrëveshjes së 2 qershorit, zgjedhjet e parakohshme parlamentare si dhe integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, kanë qenë temë e bisedimeve mes kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, dhe ambasadorin e ri të Mbretërisë së Holandës në Maqedoni, Wouter Plomp...

Ahmeti gjithashtu ambasadorit Plomp, i ka folur rreth sfidave që po shqyrtohen në grupet e punës për zbatimin e obligimeve që rrjedhin nga marrëveshja e Przhinës si dhe ka nënvizuar  qëndrimin e BDI-së në këto çështje.

Ahmeti ka theksuar shpresën se ekipi i Prokurorisë Speciale do të punojë me ndershmëri dhe përpikshmëri ndërsa Bashkimi Demokratik për Integrim do ta mbështes të gjithë procesin.

Ndërkaq sa i përket regjistrimit aktiv të votuesve, sipas Ahmetit, kjo nismë, është në kundërshtim me frymën e garantimit të së drejtës së votës për secilin qytetar, ndërsa BDI do të  angazhohet për pastrim administrativ transparent të listës së votuesve me kontrolle edhe në teren.

Ambasadori holandez,  Plomp,  për këto çështje politike ka biseduar edhe me kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi.

Thaçi, nga ambasadori holandez ka kërkuar përkrahjen e faktorit ndërkombëtar për reforma në kodin zgjedhor, si dhe krijimin e mekanizmave me të cilat do të garantohen zgjedhje të lira dhe demokratike. Ambasadori Wouter Plomp ka theksuar  se vendi i tij përkrah zbatimin e plotë të reformave në vend si dhe mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian.

NERMIN MULAKI