Hapet universiteti privat “VIZION”, Ademi: Shpresoj të hapë vizione të reja
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi, I shoqëruar nga kryetari i Gostivarit Nevzat Bejta, sot ishin të pranishëm në shënimin e fillimit të vitit të parë akademik të universitetit privat "Vizion", që është hapur në Gostivar...

Në këtë solemnitet merrnin pjesë edhe ministri pa resor, Furkan Çako dhe Omur Solendil, ambasador i Republikës së Turqisë në Republikën e Maqedonisë. Ata për së afërmi u njoftua me hapësirën dhe kuadrin të cilat i ofron institucioni i ri akademik.
Ministri Ademi u shpreh I kënaqur që hapet edhe një institucion arsimor dhe theksoi se kjo ide e konceptuar përputhet edhe me angazhimet për theksimin e diversitetit, të cilin, theksoi ne e dëshmojmë edhe me vepra dhe jo vetëm në letër.
"Hapja e këtij universiteti kontribuon për rritjen e respektit të ndërsjellë. Pritjet e mia nga puna e këtij universiteti janë të mëdha dhe të arsyeshme, nëse merret parasysh edhe kuadri. Shpresoj se, siç është edhe emri i universitetit, se ai do të hapë vizione të reja", tha midis të tjerash ministri Ademi.
Rektori i këtij universiteti Fadil Hoxha, theksoi se studentët e rinj do të fitojnë njohuri nga një kuadër cilësor mësimdhënësish.
“Studentët e rinj do të fitojnë njohuri nga një kuadër cilësor të cilët përveç se nga Maqedonia, vijnë edhe nga Kosova dhe Republika e Turqisë. Tani për tani, kemi pesë fakultete, por planifikojmë ta pasurojmë programin”, tha Hoxha.
“Komuna e Gostivarit i ka përkrahur, i përkrah dhe do i ndihmojë gjithmonë institucionet arsimore me të gjitha mundësitë që kemi”, u zotua Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.
Në universitetin “Vizion” përveç se në gjuhën maqedonase dhe angleze, mësohet edhe në gjuhën turke. Në vitin e parë të formimit, në të janë regjistruar 250 studentë, por universiteti ka kapacitet për mbi 300. Studentët janë regjistruar në pesë programe studimore nga fusha e shkencave juridike, ekonomike dhe informatike. (Lulzim Haziri, TVM2)
