Serena Williams e mbyll sezonin përpara kohe

01.10.2015 16:11

Numri 1 i tenisit botëror të femrave, Serena Williams do të mbyllë sezonin në infermieri për shkak të një dëmtimi, duke konfirmuar mungesën në China Open dhe turneun e madh të fundvitit të Singapor...

Fituesja e tre Grand Slemeve të mëdhenj të këtij sezoni thekson se gjatë këtij viti ka luajtur gjatë pjesës më të madhe të sezonit e dëmtuar. Sipas saj, shqetësimin më të madh ia ka sjellë gjuri dhe në këtë mënyrë, ka vendosur që të bëjë pushim absolut deri në rikuperimin e plotë.

“Jam një teniste e fortë dhe dua që të garoj në nivele të larta por në formën më të mirë dhe dua ta bëj këtë për sa më shumë kohë. Po bëj një pushim nga aktivitetet e radhës në Pekin dhe Singapor për shkak të problemeve fizike dhe synoj që të rikuperohem plotësisht”.

Trajneri i tenistes amerikane, Patrick Mouratoglou deklaroi për kanalin ESPN se morali i Williams ka rënë pas disfatës në US Open ku u eliminua në gjysmëfinale nga Roberta Vinci. Gjatë këtij sezoni, Serena mundi në finalen e Australian Open rusen Maria Sharapova, fitoi turneun e Miamit dhe më pas arriti të triumfonte edhe në French Open e Wimbledon.