Atentat në Tiranë, vdesin dy të rinj, plagoset një tjetër

02.10.2015 12:47

Dy të vdekur dhe një i plagosur është bilanci i një atentati që ndodhi mbrëmë në Tiranë...

Aurora Oskian dhe Kevin Rugova janë emrat e dy viktimave, ndërsa i plagosur ka mbetur dhe Elvis Gaçaj. Burime nga policia bëjnë të ditur se, 3 personat kanë qenë duke udhëtuar me automjetin  e tyre kur, në rrethana ende të paqarta, përpara tyre ka dalë një person i maskuar dhe ka hapur zjarr me një armë tip kallashnikovi në drejtim të mjetit.

Dyshohet se, mes autorit dhe personave të ndodhur në makinë ka pasur shkëmbim zjarri, pasi në automjet është gjetur dhe një pistoletë. Duke përfituar nga errësira dhe rrugicat e shumta që ndodhen në atë zonë, autori i ngjarjes ka arritur të largohet me shpejtësi, ndërsa policia e mbërritur në vendngjarje vetëm pak minuta më pas nisi menjëherë mbledhjen e dëshmive, por edhe sekuestrimin e kamerave të sigurisë të disa bizneseve që ndodhen përreth vendit të ngjarjes.

Një nga pistat kryesore ku janë fokusuar hetimet është ajo e prishjes së pazareve të drogës. Gjithashtu po hetohet edhe mbi të shkuarën e të lënduarit, Elvis Gaçaj, pasi ai nuk është një emër i panjohur për Policinë e Tiranës.