Zbatohet Ligji i ri për komunikacion, kontrolle të mëdha policore në Shkup
Ministria e Punëve të Brendshme filloi me zbatimin e Ligjit të ri për komunikacion të miratuar ditë më parë në Kuvend....

Për implementimin e ligjit, anembanë qytetit vërehet prezenca e madhe e policëve të cilët me të madhe kontrollojnë dhe gjobisin shkelësit e rregullave në komunikacion. TVM2 filmoi patrulla policore gati në çdo rrugë të Shkupit. Ndërsa qytetarët e anketuar, megjithëse thanë se nuk kishin përvojë të hidhur me Policinë, shprehen të frikësuar nga gjobat e larta që parashikon Ligji për shkelësit e rregullave në komunikacion.
“Shumë polici ka, në çdo cep të Shkupit janë, në Çairçankë, në Bit Pazar, në Qendër- tha një qytetar.
“I pashë policët duke dënuar në rrugën e Avtokomandës, edhe dënimi është shumë i madh. Kontrollojnë më shumë shpejtësinë, nëse i shkel rregullat e parashikuara atëherë të dënojnë shumë”- u shpreh një qytetar.
“Ditëve të fundit ka polici shumë. Për shembull në Jaja Pash nuk voziten shpejt për shkak se ka shumë trafik dhe nuk ka probleme. Më së shumti i kontrollojnë dritat, shpejtësinë, vendkalimet e kalimtarëve që janë pa vija të bardha”- theksoi një qytetar.
“Gjithë ditën rrijnë policët këtu, i marrin veturat, i malltretojnë të varfrit. Parking nuk ka këtu, ndërsa makinën ta marrin. Koce Trajanovski ka tre mandate që na gënjen që do të bëjë parking, parking nuk ka, ku t’i çojmë makinat”- tha një qytetar.
Kishte edhe prej atyre qytetarëve të cilëve duket se prezenca e shtuar e policisë dhe gjobat e larta nuk u kanë bërë përshtypje, prandaj vazhdojnë të parkojnë kudo apo vozisin me shpejtësi të lartë.
“E di se jam ndalur në vend të gabuar, kërkoj falje, por bashkëshortja ime shkoi deri në farmaci për të marrë ilaçe dhe menjëherë shkojmë prej këtu. I pashë policët pak më poshtë, por prandaj qëndroj në veturë, që të nisem çdo moment”- u shpreh një qytetar.
Ndryshe, Ligji parasheh që nëse drejtoni makinën me shpejtësi mbi 50 km në orë në zonat të banuara, do të gjobiteni me 400 euro ose 65 pikë negative, si dhe mund t’ju shqiptohet ndalesë për drejtim të makinës deri në 12 muaj.
Gjoba prej 40 deri më 50 euro është parashikuar për shoferët të cilën përdorin telefonin celular gjatë vozitjes ose që nuk vendosin rripin e sigurimit. Qëllimi i këtyre masave është rritja e sigurisë në komunikacion. (Rexhep Qamili, TVM2)
