Maqedoni

Orav: BE ndjek lirinë e mediave dhe raport progresin

02.10.2015 16:08

Liria e shprehjes është e drejtë fundamentale e njeriut në BE dhe si e tillë garantohet nga Konventa Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut dhe ligjet tjera...

Por, liria e shprehjes nuk duhet të përfshijë asnjë vokabular të urrejtjes kombëtare apo fetare. Kështu vlerëson euroamabasadori, Aivo Orav, në debatin rreth gjuhës së urrejtjes, diskriminimit dhe rolit të mediave në parandalimin e  tyre.
 
Sipas tij, këtu rol të madh luan shteti në mbrojtjen e lirisë së shprehjes, por edhe në parandalimin e përhapjes së gjuhës së urrejtjes.
 
BE për së afërmi ndjek çështjen e mediave dhe ka ndihmuar me mjete financiare me 2, 5 milion euro për ruajtjen e integritetit të mediave, tha ambasadori Orav. 
 
“Është përgjegjësi e madhe e gazetarëve dhe mediave që gjatë informimit të jenë të balancuar bazuar në fakte. Toleranca dhe respektimi i dinjitetit të të gjithë njerëzve paraqet bazë të shoqërisë demokratike. BE ndjek çështjet që kanë të bëjnë me lirinë e mediave dhe raport progresin vjetor. Përqendrim më të madh i kushton luftës kundër dhunës së gazetarëve dhe gjyqësorit, i cili duhet  të garantojë të drejtën individuale”- deklaroi euroambasadori, Aivo Orav.
 
Nga gjuha e urrejtës iniciohet dhuna dhe joteleranca që shkakton probleme të mëdha në shoqërinë tonë, siç  jemi shumë të ndjeshëm në përkatësinë etnike dhe fetare, thotë nga Këshilli Etik i Mediave.
 
“Jemi dëshmitarë që mediat fatkeqësisht shfrytëzohen si kanal apo instrument për përhapjen dhe zgjerimin në njëfarë forme që gjuha e urrejtjes të jetë edhen një lloj diskursi publik, gjë që nuk është e pranueshme edhe me standardet ndërkombëtare të gazetarisë. Roli i editorëve dhe gazetarëve është shumë i madh në selektimin apo parandalimin e gjuhës së urrejtjes, e cila transmetohet apo publikohet në media”- tha anëtari i Këshillit Etik të Mediave, Sefer Tahiri.
 
Nga Këshillin Etik i Mediave thonë se për një vit kanë arritur 50 lëndë që  kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin  që përhapen më së tepërmi nga disa media, redaktorë dhe gazetarë, me ç’rast ky këshill i pavarur dënon disa media që përhapin gjuhës e urrejtjes, gjë që është në kundërshtim me normat ndërkombëtare.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU