Botë
Bombardimet ruse në Siri, reagojnë ShBA-të dhe aleatët e saj
02.10.2015 16:16
ShBA-të, Turqia, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Katari dhe Arabia Saudite me anë të një deklarate të përbashkët kanë reaguar ndaj sulmeve të Rusisë në Siri...

Në deklaratë thuhet se Rusia duhet t’i japë fund sulmeve ndaj opozitarëve dhe civilëve në Siri dhe duhet të përqendrohet në sulmet kundër ISIS-it.
“Jemi thellësisht të shqetësuar për dërgimin e shumë trupave ruse në Siri, si dhe sulmet të cilat vazhdojnë prej ditës së djeshme në Hums, Hama dhe Idlib, sulme këto të cilat kanë në shënjestër opozitarët dhe civilët, si dhe mënjanojnë ISIS-in”. “Këto aktivitete ushtarake, të cilat janë shkak për rritjen e tensioneve në këtë vend, nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se ndihmojnë në rritjen e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Federata ruse duhet t’i japë sa më shpejt fund sulmeve ndaj civilëve dhe opozitarëve dhe duhet të përqendrohet në luftën kundër ISIS”- thuhet në deklaratë.
Intervenimi erdhi pasi ditë më parë presidenti rus, Putin, pati një takim me presidentin amerikan, Barak Obama, ku me gjithë dallimet sa i përket fatit të presidentit Asad, u duk se kur është në pyetje ISIS ata kanë qëndrime të përafërta.
Por, sulmi dhe shënjestra ruse në zonat ku nuk ka prani të militantëve të “Shtetit Islamik”, e madje goditja e rebelëve të mbështetur dhe armatosur nga ShBA-të, po shqetësojnë Amerikën dhe aleatët.
Madje, mediat ndërkombëtare njoftuan se kjo nuk është sfida e parë e Rusisë ndaj perëndimit, pasi vjen pas aneksimit të Krimesë vitin e kaluar apo edhe me futjen në Kosovë qershorin e vitit 1999, kur duke pushtuar aeroportin e Prishtinës, për pak sa nuk erdhi deri te konflikti me NATO-n.
Nga ana tjetër, presidenti rus, Putin, sulmin në Siri po e shfrytëzon për pompozitet të brendshëm. Në Latakia, ku është vendosur baza ajrore ruse, prej ku avionët rusë filluan bombardimin, është lejuar të depërtojë Televizioni “Rusia Today”, prej ku për herë të parë dalin pamjet të avionëve rusë në Siri.
Në raportin e “Bist Daily” thuhet se bota tash e ka një vendimmarrës të ri për luftëra kundër xhihadistëve, por se ai nuk është në Pentagon apo në Damask, por në Kremlin dhe emri i tij është Vladimir Putin. Por ShBA-të dhe perëndimi, gjithsesi, nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga ndikimi i tyre në zhvillimet në Siri.
Zëdhënësi i Pentagonit e paraqiti intervenimin rus si operacion kundër gjithë opozitës në Siri. Ndërsa presidenti i Francës, Fransoa Hollande, i ka kërkuar sot në Paris homologut rus, Vladimir Putin, që Rusia të jetë e sinqertë dhe të sulmojë ISIS-in e jo grupet e tjera opozitare.
GYLTENE SINANI
