Botë
Masakër në Oregon të ShBA-ve, një 26 vjeçar vret 10 studentë
02.10.2015 16:37
Dhjetë persona janë vrarë dhe shtatë të tjerë janë plagosur nga të shtënat në kolegjin në Oregon të Shteteve të Bashkuara të Amerikës...

Sulmuesi është Chris Haper Mercer, 26 vjeçar. Ai i kishte detyruar viktimat që të shtrihen në tokë dhe të deklarojnë fenë e tyre, ku sipas dëshmitarëve ata kanë thënë se janë krishterë, ndërsa ai është përgjigjur: “Mirë, ju do të shihni Perëndinë tani” dhe më pas i kishte vrarë.
Qytetarët lokal pohojnë se gjithçka kishte ndodhur shumë shpejt.
“Ishim në orë të mësimit, përnjëherë u dëgjuan të shtëna, por nuk e dinim se çfarë po ndodh dhe ne vazhduam me mësim. Mbas gjuajtjes së dytë dhe të tretë të gjithë ishim shumë të frikësuar, i dëgjuam hapat e tij para derës dhe ai filloi të bërtasë: dilni, dilni, por për fat policia erdhi dhe na shpëtoi”- tha një studente.
Ai u qëllua në përleshje që kishte shkaktuar pas sulmit të policisë. 3 pistoleta dhe një pushkë janë gjetur pas bastisjes që ka bërë policia. Sipas profilit të 26 vjeçarit, Chris Haper Mercer, ai ka qenë ateist, konservator dhe ka jetuar me prindërit.
Por, cili ishte motivi i djaloshit 26 vjeçar për këtë vepër ende nuk dihet.
Megjithatë në rrjetin social ai kishte paralajmëruar sulmin një ditë më parë.
“Unë nuk do ta emëroj sulmuesin, sepse ai me këtë akt nuk e meriton atë. Nuk duhet t’i inkurajojmë njerëzit që kanë qëllime të tilla. Tash duhet të fokusohemi tek familjarët e viktimave”- tha një polic.
Lidhur me vrasjen ka reaguar presidenti amerikan, Barak Obama, dhe kandidatja presidenciale, Hillari Klinton, të cilët kanë theksuar nevojën për kontroll më të madh të armëve.
“Jemi i vetmi vend ku vrasje të tilla ndodhin pothuajse çdo muaj, duke u kthyer në një rutinë. Nuk ka ligje të mjaftueshëm për kontrollin e armëve dhe për të garantuar sigurinë”- theksoi presidenti i ShBA-ve, Barak Obama.
“Unë nuk mund të kuptoj se si kjo ka ndodhur, por vrasjet masive çdoherë po ndodhin, duhet të kemi më shumë luftë politike dhe të krijojmë kushte që njerëzit të kenë me tepër siguri dhe më tepër kontroll të armëve”- u shpreh kandidatja për presidente, Hillari Klinton.
Në kolegjin ku ka ndodhur tragjedia studiojnë më tepër se 3 mijë studentë.
GYLTENE SINANI
