Maqedoni
“Besa”: buxheti për vitin 2016 është politik
02.10.2015 17:08
Lëvizja “Besa” kërkon që parlamenti t’ia rikthejë qeverisë për rishqyrtim propozim-buxhetin e vitit 2016...

“Besa” vlerëson se propozim- buxheti është i destinuar në favor të partive në pushtet, e jo në favor të qytetarëve. Sipas kësaj lëvizje, me propozim buxhetin e vitit 2016 Maqedonia gjendet para mashtrimit dhe keqpërdorimit, ndërsa me këtë buxhet do të thellohet kriza ekonomike.
“Është evidente se ky propozim-buxhet do të thellojë edhe më shumë krizën ekonomike. Prandaj, propozimi ynë është që kjo garniturë qeverisëse ta miratojë një buxhet, i cili do t’i përmbante vetëm zërat e financimit të funksioneve tekniko-administrative dhe sociale të domosdoshme dhe njëherësh të anulohen të gjitha projektet që mund të presin të realizohen në kohë normale”- deklaroi kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami.
Nga kjo lëvizje thonë se ministri i Financave dhe kjo qeveri aktuale, pas marrëveshjes së Përzhinës, nuk kanë kurrfarë legjitimiteti që të propozojnë një buxhet të tillë, pasi që sipas kësaj lëvizjeje ky buxhet është politik.
ERSAN PAJAZITI
