Maqedoni

Mediat në gjuhën shqipe, më shumë financa dhe profesionalizëm

02.10.2015 17:12

Mediat shqiptare në vend janë të diskriminuara financiarisht jo vetëm nga qeveria, por edhe komuniteti ndërkombëtar dhe fondacionet e huaja...

Komentet u bënë në një debat që kishte për temë investimet dhe shtimin e profesionalizmit në gazetarinë shqiptare.
 
Themeluesi i gazetës “Koha”, Lirim Dullovi, mori shembull fondet të cilat vijnë nga Komisioni Evropian brenda një viti, të cilat nuk përfundojnë te asnjë medium në gjuhën shqipe.
 
“Viteve të shkuara, një deri në dy milion janë harxhuar në përkrahjen e mediave në Maqedoni. Por, nuk e di një rast që prej atyre dy milionëve në vit që janë harxhuar të kenë shkuar për një medium shqiptar. A s’paska nevojë gazetaria shqiptare për ato mjete? Do të thotë aspak komuniteti ndërkombëtar në këtë plan nuk dallon nga qeveria”- deklaroi themeluesi i gazetës “Koha”, Lirim Dullovi.
 
Në debat u theksua se sfidë e gazetarisë shqiptare duhet të jetë edhe rritja e kapaciteteve profesionale.
 
“Ne kemi organizuar konkurs dhe të vijnë pesëdhjetë, gjashtëdhjetë kandidatë dhe mezi nga 60-të i përzgjedh dy ose tre, kjo lë shumëçka për të dëshiruar”- tha pronari i TV Art, Selajdin Xhezairi.
 
Problemet në gazetarinë në gjuhën shqipe, sipas gazetarëve, janë bazike dhe jo të rastit, duke u plasuar lajme sensacionale apo të kopjuara nga media të tjera. Më të prekura me këtë fenomen u përmendën portalet.
 
“Një analizë të thjeshtë në qoftë se e bëjmë të atyre problemeve profesionale, realisht problemet janë bazike. Nuk ka finesa të tipit mes rreshtash që mund të thuhen gjërat. Realisht, problemet janë bazike që tregojnë që ato bëhen me qëllim, jo që nuk i dinë, sepse ne me kolegët tanë njihemi njëri me tjetrin”- theksoi gazetari, Nazim Rashidi.
 
Të gjithë bashkëbiseduesit u dakorduan se duhet të krijohen standarde për një gazetari të mirëfilltë, të rritet përgjegjësia në shkrime, e në veçanti në portale.
 
U kërkua që ato të jenë më precize në dhënien e informacioneve, duke u nënshkruar çdo tekst i publikuar.
 
MERAL ISMAILI