Maqedoni
UShT, mbahet Seminari i nëntë i Albanologjisë
02.10.2015 17:29
Në UShT ka filluar sot Seminari dyditor i Albanologjisë, me temë “Lokalja dhe universalja në kulturën shqiptare”, ku po marrin pjesë studiues të albanologjisë nga të gjitha trevat shqiptare...

Të pranishmit në këtë seminar i përshëndeti rektori i UShT-së, Vullnet Ameti, i cili theksoi se UShT përkrah seminarin pasi që kjo është mënyra e duhur për ruajtjen e vlerave kombëtare.
“Ky është viti i nëntë me radhë i seminarit që organizohet nga universiteti ynë dhe besojmë se do të vijojë të jetë i suksesshëm sikurse edicionet paraprake për t’i kontribuar shkencës dhe albanologjisë dhe studimeve të mirëfillta shkencore. Seminari i albanologjisë, si njëri ndër aktivitet kryesore, gjithmonë do të gëzojë përkrahjen tonë, prandaj vlerësojmë se vetëm në këtë mënyrë mund të japim kontributin tonë të përbashkët për ruajtjen e vlerave tona kombëtare”- deklaroi rektori i UShT-së, Vullnet Ahmeti.
Edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, përshëndeti punimet e këtij seminari mbi albanologjinë, ndërsa theksoi edhe përkrahjen për UShT-në, duke bërë të ditur se është rritur buxheti dhe investimet kapitale për ndërtimin e objekteve shtesë të këtij universiteti.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të vazhdojë të përkrahë fuqishëm UShT-në. Më lejoni që në pika të shkurta t’ju njoftoj që tanimë është miratuar edhe buxheti për vitin 2016, ku UShT-ja është në vendin e veçantë, ndërsa deri në këtë vit UShT-ja ka qenë i radhitur i katërti me buxhet në mesin e universiteteve në vendin tonë. Në vitin 2016, UShT-ja do të radhitet e dyta pas universitetit të Shkupit, ku do të jetë para jo vetëm në aspektin e buxhetit, por edhe në aspektin e investimeve kapitale”- tha ministri i Arsimi dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
Pas përfundimit të seminarit pritet të dalin edhe konkluzat dhe studimet mbi temën “Lokalja dhe universalja në kulturën shqiptare”.
VISAR SADIKI
