Maqedoni
LR në PDSh: MPB të gjejë kush i helmoi nxënësit
02.10.2015 17:32
Lëvizja për reforma në PDSh kërkon që organet e drejtësisë urgjentisht të zbulojnë fajtorin për helmimin e nxënësve në Shkollën e Mesme “Arseni Jovskov” në Shkup...

Kryerësit e kësaj vepre, që rrezikon jetë fëmijësh, të nxirren urgjentisht para drejtësisë, thonë nga Lëvizja për Reforma. Ata kërkojnë njëkohësisht që ministri Ademi të shkarkojë drejtoreshën e shkollës dhe të caktohet një udhëheqësi e re, që do të reflektojë realitetin etnik në shkollë.
“Ditëve të fundit kjo shkollë u shndërrua në arenë provash për frikësim dhe krijim paniku përmes metodave të ish sistemit komunist. Nxënësit dhe profesorët e kësaj shkolle u helmuan nga kryerës të panjohur, ndërsa organet kompetente, si gjithnjë kur bëhet fjalë për viktima të etnisë shqiptare, nuk kanë epilog. I porosisim të gjithë sajuesit e këtyre skenareve ta kenë të qartë se me këto veprime jo që nuk do të krijojnë huti dhe nuk do ta tërheqin vëmendjen nga problemet reale në këtë shkollë, që në fakt reflekton gjendjen reale të keqe në vend, por përkundrazi, do ta përforcojnë këmbënguljen e nxënësve, prindërve dhe profesorëve të shkojnë deri në fund të këtij procesi dhe të arrijnë të drejtat e veta të caktuara me Kushtetutë”- thonë nga LR në PDSh.
