Maqedoni
Marrëveshja e Përzhinës, Zaev akuzon pushtetin për ngecjet; OSBE, optimiste: Mund t’ia dilni
02.10.2015 18:03
Kreu i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, sërish ka akuzuar pushtetin për ngecjet në punën e Grupit për zbatimin e Marrëveshjes politike...

Sipas tij, VMRO-DPMNE po bllokon bisedimet për Kodin Zgjedhor dhe për themelimin e Komitetit për hetimin e skandalit me përgjimet.
Ndërkaq, ka quajtur joparimore kërkesën e BDI-së që ta shtrojë si çështje në Grupin e punës edhe Marrëveshjen e Ohrit, 14 vite pas firmosjes dhe pas 7/8 vjet në pushtet me VMRO-DPMNE-në.
Sipas tij, qasja e BDI-së është populiste, ndërsa VMRO-DPMNE-ja konteston gjithçka për të blerë kohë dhe për t’i ikur përgjegjësisë.
“Nuk ka ikje. Nëse duhet t’a definojmë emrin e Komisionit Anketues, edhe pse qëndron në Marrëveshjen e Përzhinës, nëse duhet të caktohet numri i anëtarëve, le të caktohet. Nëse ndonjë nga politikanët mendon se seanca duhet të jetë e mbyllur, le të dalë para opinionit dhe le të thotë se pse ai dëshiron të raportojë në seancë të mbyllur, përderisa luftojmë për transparencë”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Në ndërkohë, Grupi punues vazhdon punimet për dakordimin e Kodit Zgjedhor, por pa asnjë avancim në bisedime.
Sipas OSBE-ODIHR-it, në vendet demokratike dhe në kushte normale, ligjet dhe procedurat për organizimin e zgjedhjeve rregullohen një vit para zgjedhjeve.
Zgjedhjet e radhës në Maqedoni janë paralajmëruar për më pak se gjashtë muaj, përkatësisht për në prill të vitit 2016, por pavarësisht kësaj, ambasadorja e OSBE-së në Shkup, Nina Suomalajnen, është optimiste se edhe në këto gjashtë muaj Lista Zgjedhore mund të pastrohet me revidim dhe me ndihmën e ekspertëve.
Në një intervistë për Radion “Evropa e Lirë”, Suomalajnen thekson se me rëndësi të posaçme për zbatimin e zgjedhjeve është edhe pavarësimi dhe neutraliteti i institucioneve që zbatojnë zgjedhjet.
SHPËTIM NUREDINI
