Maqedoni

Vizita e ministrit Jashari në Slloveni, thellohet bashkëpunimi në sferën e gjyqësisë

02.10.2015 18:08

Ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, ka realizuar vizitë zyrtare në Republikën e Sllovenisë, ku ka takuar homologun e tij slloven, Goran Klemençiç...

Ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, ka realizuar vizitë zyrtare në Republikën e Sllovenisë, ku ka takuar homologun e tij slloven, Goran Klemençiç, dhe kryetarin e Gjykatës Supreme, Branko Maslesha.

“Sllovenia është një shembull i mirë për t’u ndjekur në drejtim të përmbushjes së detyrave konkrete në gjyqësor për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE”- ka deklaruar ministri Jashari, duke shtuar se dy vendet angazhohen për përforcimin dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve dypalëshe në frymën e miqësisë dhe bashkëpunimit të përhershëm.

Gjatë takimit, ministri Jashari e ka informuar homologun e tij edhe për planin e veprimit për reformat në gjyqësor, të cilat, sipas tij, janë të prezantuara para opinionit vendas dhe atij ndërkombëtar.

Në vizitën e tij zyrtare në Slloveni, Jashari ka vizituar edhe Gjykatën Supreme të Sllovenisë, ku ka takuar kryetarin e kësaj gjykate, Branko Maslesha. 

Dy bashkëbiseduesit janë dakorduar se respektimi i konventave dhe marrëveshjeve nga ana e dy shteteve mundëson përforcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në materien penale, posaçërisht në sferën e ballafaqimit me kriminalitetin.