Maqedoni
Zyrtarizohet nisma për themelimin e UNITETI-t, Ostreni: BDI dhe PDSh, të kontrolluara nga VMRO
03.10.2015 16:27
Gëzim Ostreni dhe Zulfi Adili, dy bashkëpunëtorë të afërt të Ali Ahmetit, zyrtarizuan nismën për themelimin e partisë Uniteti...

Kjo parti mbështet konceptin qytetar dhe respekton Marrëveshjen e Ohrit si dokument që, ndër të tjera, ruan kufijtë ekzistues të Maqedonisë, ku shqiptarët e shohin veten të barabartë me maqedonasit, ndërsa funksionimin e shtetit ligjor, përparimin e demokracisë dhe rritjen e standartit jetësor të qytetarëve e sheh si parakusht për anëtarësim në NATO dhe BE.
“Qëllimi i formimit të Unitetit është hapja e një alternative të re për zhvillimin e mëtutjeshëm demokratik në Maqedoni, duke i evituar pengesat që qëndrojnë para qytetarëve shqiptarë, maqedonas, turq, romë, vllehë, etj. në sigurimin e dinjitetit, lirive dhe të drejtave të tyre”, tha Gëzim Ostreni.
Ostreni nuk la pa akuzuar as partinë prej nga rrjedh. Ai ka quajtur BDI-në dhe PDSh-në, vazalë të VMRO DPMNE-së, parti me ide të varfëruara, që ngulfasin pluralizmin politik në bllokun shqiptar.
“Partitë politike parlamentare shqiptare, deri tani, ofrojnë dy oferta që karakterizohen me ide të varfëra të kontrolluara nga VMRO DPMNE për zhvillimin e mëtutjeshëm të RM-së dhe tentojnë pengimin e pluralizmit politik, për të siguruar monopol për vete”, shtoi Ostreni.
Sipas tij partitë shqiptare nuk bëjnë transparente marrëveshjet për koalicion me partitë maqedonase, duke i lënë kështu shqiptarët të ndjehen të pasigurtë nëse do të realizohen ose jo çështjet për të cilat i kanë votuar.
Sa i përket gjendjes aktuale në vend, Uniteti vlerëson se Maqedonia ka krizë institucionale me demokraci të deformuar, ku pushtetarët janë ngritur mbi kushtetutën dhe ligjet.
SHPËTIM NUREDINI
