Botë
Francë, përmbytje apokaliptike, të paktën 16 të vdekur
04.10.2015 14:58
Stuhi të fuqishme dhe përmbytjet kanë përfshirë juglindjen e Francës, duke lënë të paktën 16 persona të vdekur dhe 3 të tjerë të zhdukur...

Ngjarja, sipas zyrtarëve francezë, vijon të jetë e rënduar që prej mbrëmjes së të shtunës.
3 të moshuar janë mbytur, kur shtëpia e tyre e azilit, pranë qytetit Antibes, u përmbyt nga vërshimet e ujit.
Disa të tjerë ndërruan jetë të bllokuar brenda makinave të tyre nëpër tunele dhe parkingjet e nëntokës për shkak të rritjes së nivelit të ujit.
Presidenti francez, Fransoa Hollande ka falënderuar ekipet e kërkim-shpëtimit dhe shprehu “solidaritetin e kombit me viktimat”.
Ai, së bashku me ministrin e Brendshëm, kanë vizituar rajonet e prekura nga përmbytjet.
Reshje të dendura shiu kanë goditur edhe Rivierën franceze, që shtrihet në brigjet e Mesdheut dhe kufizohet me Italinë, gjatë pasdites së të shtunës.
Qyteti i Nisës përllogaritet të ketë pasur 10% të mesatares vjetore të reshjeve të shiut vetëm gjatë dy ditëve të fundit.
Lumi “Brague” doli nga shtrati, duke përmbytur me ujërat e tij dy fshatra fqinje dhe qytetet.
Pamjet e publikuara nëpër mediat sociale tregojnë sasi të mëdha uji edhe nëpër rrugët e Kanës.
“Disa automjete kanë përfunduar në det”, tha kryebashkiaku Davis Lisnard.
Rreth 27 mijë banorë kanë mbetur pa energji elektrike.
