Botë

SHBA: Hetime për sulmin në spitalin në Kunduz

04.10.2015 16:23

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka thënë se Pentagoni i ka filluar “hetimet e plota” për sulmin ajror kundër një spitali në Kunduz, nga i cili u vranë së paku 19 vetë dhe u plagosën rëndë afro 40 të tjerë....

Ky spital udhëhiqej nga organizata Mjekët pa Kufij, në qytetin Kunduz, në pjesën veriore të Afganistanit.
 
Obama ka shprehur “ngushëllime të thella” dhe ka theksuar se pret një “analizë të plotë të fakteve” dhe pastaj do ta bëjë vlerësimin përfundimtar.
 
Kombet e Bashkuara e kanë dënuar fuqishëm sulmin ajror në Kunduz të Afganistanit.
 
Shefi për të drejtat e njeriut në Kombet e Bashkuara, Zeid Raad Al Hussein, ka thënë se “nëse përcaktohet në gjykatë se ishte i qëllimshëm, atëherë një sulm ajror kundër spitalit, mund të jetë krim lufte”.
 
Ai ka vlerësuar se “kjo ngjarje është plotësisht tragjike, e pafalshme dhe me gjasë kriminale”.
 
Organizata Mjekët pa Kufij, që e ka udhëhequr këtë spital, ka thënë se ai është shkatërruar pjesërisht, pasi është qëlluar nga një sulm ajror, derisa po vazhdojnë luftimet ndërmjet militantëve talibanë dhe forcave qeveritare të Afganistanit, që mbështeten nga NATO-ja, për marrjen e kontrollit në qytetin Kunduz.