Botë

Francë, viktima e shkatërrime nga vërshimi i ujërave

05.10.2015 12:19

Stuhi të dhunshme, e pastaj drama. Vërshimi i furishëm i ujërave solli vdekje e shkatërrim në Bregun e Kaltër të Francës...

Stuhi të dhunshme, e pastaj drama. Vërshimi i furishëm i ujërave solli vdekje e shkatërrim në Bregun e Kaltër të Francës, ku bilanci fillestar i jetëve të humbura ishte 12, për t’u fiksuar më vonë sipas pohimeve të vetë presidentit Francois Hollande në 16 të vdekur e 3 të zhdukur.
 
Të paktën 5 prej vitkimave janë mbytur ndërsa përpiqeshin të shpëtonin makinat nga uji. Njërin prej rasteve e rrëfen vetë kryebashkiaku i lokalitetit Mandelie la Napule.
 
“Kishin zbritur në garazhin e banesës për të siguruar automjetin, por në atë moment mbërriti dallga e përmbytjes. Ai arriti të dilte nga makina, ajo jo”, tha zyrtari.
 
Trupi i pajetë i gruas do të gjendej vetëm në mëngjes. Tre vdekje të tjera pranë Kanës u regjistruan po në automjete, të cilat vërshimi i ujërave i zuri në mes të rrugës.
 
Një person tjetër humbi jetën në afërsi të një parkimi, ndërsa tre trupa të pajetë u gjetën në një shtëpi pushimi. Raportet në mediat lokale flasin për makina po në zonën e Kanës, të cilat uji i ka tërhequr deri në det.
 
Një duzinë trenash, sipas kompanisë hekurudhore Sncf, mbetën të bllokuar në stacione në juglindje të vendit, me qindra pasagjerë në bord./ Top Channel