Brenda 24 orëve në Maqedoni 2.543 migrantë, në Gjermani këtë vit priten 1.5 milion emigrantë
Brenda 24 orësh, 2.543 shtetasve të huaj u janë lëshuar vërtetime për mundësinë e parashtrimit të kërkesës për njohjen e së drejtës së azilit, njofton MPB...

Prej tyre 1.645 meshkuj, 297 femra dhe 498 fëmijë me të afërmit e tyre dhe 47 fëmijë të cilët udhëtojnë pa prindër. Pjesa më e madhe janë shtetas të Sirisë, 1.309, të Afganistanit 904 dhe shtetas të Irakut 132.
Por, në 24 orët e kaluara në Sektorin për Azil nuk janë parashtruar kërkesa për njohjen e të drejtës së azilit, pasi ata Maqedoninë e shohin si rrugë transit drejt BE-së, ku që nga fillimi i vitit ilegalisht kanë hyrë rreth 630.000 njerëz.
Drejtori i Agjencisë për Kontroll të Kufijve të Jashtëm të BE-së “Fronteks”, Fabric Lezeri, në një intervistë për mediat franceze ka thënë se disa nga emigrantët në vendet e BE-së do të riatdhesohen, ndërsa “Fronteks” për këtë qëllim planifikon të angazhojë 60 aeroplanë.
Ndërsa vendi ku janë strehuar pjesa më e madhe e emigrantëve është Gjermania, e cila përgatitet për pritjen e afro 1.5 milion emigrantëve këtë vit.
“Presioni i emigrimit do të rritet më tutje. Tash ne presim prej 7 e deri në 10 mijë kalime ilegale të kufirit çdo ditë në tremujorin e fundit”- shkruan e përditshmja gjermane “Bild”.
Por, edhe përkundër fluksit të madh, kancelarja gjermane, Angela Merkel, citohet të ketë deklaruar se Gjermania nuk do ta dobësojë përkushtimin e vet për strehimin e azilkërkuesve. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)
