Maqedoni

Profesorët: Akademia do duplifikojë institucionet

05.10.2015 16:05

Një ndër profesionet më humane është ai i mësuesit, i cili ka për detyrë edukimin e brezave të rinj, u tha me rastin e Ditës Botërore të Mësuesit...

Me këtë rast u bë e ditur se veç më po zgjidhet Këshilli Drejtues i Akademisë për Mësues.
 
Së shpejti do të ketë shpallje për drejtor dhe zëvendësdrejtor të cilët mund të jenë edhe shtetas të huaj.
 
Sipas profesoreshës universitare, Gjylymsere Kasapi, Akademia do të jetë një edukim paralel, sepse të gjitha shkallët e edukimit janë të përfshira në Fakultetin Pedagogjik.
 
“Akademia do të kishte duplifikuar punën ose do kishte qenë një edukim paralel për arsye se përsëri ne duhet të jemi të kyçur në grupet që do realizojnë kualifikimin për të mbaruar Akademinë. Konsideroj se specializimet në të gjitha shkallët e edukimit i kemi të përfshira në Fakultetin Pedagogjik, ku mësimi zhvillohet në tre gjuhë”- deklaroi profesoresha universitare, Gjylymsere Kasapi.
 
Ndërkohë, ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, vlerëson se Akademia nuk duplifikon punën, por do të mbindërtohet dituria dhe do të jepen licenca.
 
“Akademia nuk i ka kompetencat e fakulteteve pedagogjike, por ka kompetencë të trajnimit dhe mbindërtimit të dijes dhe vlerësimit të dijes në licencimin e mësimdhënësve. Nuk do të duplifikohen institucionet dhe pasi që bëhet profesion i rregullt duhet të licencohet, dhe një institucion i vetëm do licencohet, dhe kjo do të jetë akademia”- tha ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.  
         
Ademi shtoi se kuadri ekzistues nuk e ka të patjetërsueshme të licencohet, por çdo arsimtar që dëshiron të avancohet në karrierë duhet të licencohet.
 
Arsimtarët që do të licencohen do të kenë pagë më të lartë për 50 euro në muaj. Ministri Ademi po ashtu bëri të ditur se deri në fund të javës së ardhshme do të përfundojë distribuimi i teksteve shkollore.
 
FLUTURA LATIFI