Shtypi grek, ShBA-të do të aktivizohen në kontestin me emrin
ShBA do të aktivizohet në zgjidhjen e problemit me emrin, shkruan shtypi grek duke njoftuar për takimet e realizuara mes kryeministrit grek, Cipraz, dhe senatorit amerikan, Xhon Keri...

Sipas gazetës greke “Etnos”, ky intervenim pritet të ndodh muajin e ardhshëm, kur senatori Keri do ta vizitojë Greqinë, për të biseduar për problemin e saj me Maqedoninë dhe Qipron. Sipas gazetës në fjalë, kryeministri grek, Aleksis Cipras, atëherë do t’i paraqesë Maqedonisë propozime lidhur me çështjen e emrit, ndërkaq, nëse Maqedonia nuk luan nga pozicioni, atëherë vendi nuk do të ketë perspektivë, shkruan gazeta “Etnos”, thirrur në burime të afërta me Qeverinë greke.
Nga ana tjetër, edhe gazeta e njohur “Katimerini” shkruan se ShBA-të kanë plane konkrete për Maqedoninë, e që përfshinë edhe presionin për çështjen e emrit. Sipas dy dokumenteve të besueshme deri tek të cilat ka arritur “Katimerini”, thuhet se ShBA ka insistuar dhe ka kryer presion për të zgjidhur çështjen e emrit.
Më e rëndësishmja dhe ndoshta më shqetësuese është se ShBA -të e kanë lënë të hapur mundësinë ta ftojnë IJRM-në të bashkëngjitet drejt NATO-s, pa ndodhur ajo në Samit, siç thuhet në një telegram të ambasadorit grek në Uashington, që me siguri do të shkaktojë tensione intensive në marrëdhëniet me Greqinë dhe do të detyrojë Athinën të vendosë veto, shkruan gazeta greke.
Sipas shtypit grek, ndaj politikës amerikane për Maqedoninë në masë të madhe ndikon ndihmëssekretararja e shtetit, Viktoria Nuland, e cila pritet ta vizitojë Athinën disa ditë përpara senatorit Keri. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
