Rasti “Puç”, Zaev nuk paraqitet në gjykatë shtyhet seanca

05.10.2015 16:41

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, e njeh si kompetent për rastin “Puç” vetëm Gjykatën Speciale, prandaj sot sërish nuk u paraqit në gjykatë për seancën gjyqësore dhe seanca është prolonguar...

Vane Andreev, avokati mbrojtës në rastin "Puç", ka thënë se lideri i LSDM-së Zaev mungoi, sepse pret që kjo lëndë së shpejti të transferohet te Prokurorja Speciale, por edhe për shkak se kishte planifikuar një takim me ambasadorin italian.

"Ligji është miratuar zyrtarisht, ka hyrë në fuqi. Ne presim që prokuroria të jetë në funksion dhe të fillojë të veprojë"- deklaroi avokati Andreev.

Ai ka thënë se Zaev do të paraqitet në çdo seancë, pasi rastin ta marrë Katica Janeva. Në rastin "Puç", Zaev është akuzuar për dhunë kundër përfaqësuesve të autoriteteve më të larta shtetërore. Përveç tij, për vepra të tjera janë akuzuar Zoran Verushevski, bashkëshortja e tij dhe dy persona të tjerë. Seanca tjetër është caktuar për 22 tetor.