LSDM me projekt të ri, “Vizioni për Maqedoninë”

05.10.2015 17:26

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ka prezantuar projektin e ri partiak të emërtuar “Vizioni për Maqedoninë”...

Ky projekt, siç tha Zaev, bazohet në pesë shtylla, ndërsa shtylla e parë siguron pushtet të përgjegjshëm dhe kontroll mbi pushtetin.

“Me këtë projekt po e kthejmë në duart e qytetarëve pushtetin, i cili për momentin është e kidnapuar nga një grup i vogël i njerëzve dhe ne të pengojmë që në të ardhmen mos të ndodhë e njëjta. Shtylla e dytë siguron shpërndarje të drejtë të buxhetit dhe dalje nga varfëria. Me këtë do të vendosen ndryshime në sistemin tatimor dhe sistemin e transferimeve sociale në bazë të principit të drejtësisë. Fusha e tretë siguron zhvillim të kapaciteteve vendore dhe punë të ndershme. Me këtë do të vendoset baza për zhvillim ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës. Prioritet do të kenë kompanitë vendore. Shtylla e katërt siguron ardhmëri evropiane dhe jetë cilësore. Ndërtojmë ardhmëri me standard evropiane, me energji të re në integrimet euroatlantike të Maqedonisë. Shtylla e pestë ofron një shoqëri për të gjithë”- deklaroi Zoran Zaev nga LSDM.

Me këtë, tha Zaev, do t’u japim fund ndarjeve të ndryshme maqedonase, shqiptare ose çfarë do qofshin ato. Të gjitha pesë shtyllat do t’i ngrisim njëkohësisht, tha lideri socialdemokrat. Projekti do të prezantohet në të gjithë vendin, tha Zaev, sipas të cilit punkti i parë tanimë është hapur para selisë së LSDM-së, ndërsa do të hapen edhe punkte tjera për kontakt me qytetarët.

Ndërsa komunikimi mund të bëhet edhe on-line nëpërmjet internetit, ku çdokush mund të paraqesë qëndrimin apo idenë e tij në 5 javët e ardhshme, sa do të jetë i hapur procesi i ndërtimit të vizionit të përbashkët të LSDM-së me qytetarët.(Gyltene Sinani, TVM2)