Maqedoni

Grupet e punës, ende s’ka marrëveshje për Kodin Zgjedhor

05.10.2015 17:33

Edhe pse nesër në mesnatë skadon afati kur pushteti dhe opozita duhet t’i dakordojnë qëndrimet e tyre në lidhje me legjislacionin zgjedhor...

Edhe pse nesër në mesnatë skadon afati kur pushteti dhe opozita duhet t’i dakordojnë qëndrimet e tyre në lidhje me legjislacionin zgjedhor, deri në këto moment ende nuk ka marrëveshje për shumicën e çështjeve kontestuese.
 
Asnjë nga çështjet më të rëndësishme, siç është votimi i diasporës, pastrimi i Listës Zgjedhore, kompetencat e KShZ-së, nuk janë të mbyllura dhe ka çështje, si financimi i fushatave të partive politike dhe prezantimi i tyre medial, për të cilat akoma nuk është hapur diskutim.
 
Si pasojë e sjelljes së mbrëmshme të përfaqësuesve të VMRO-DPMNE-së, të cilët kanë kërkuar pauzë dhe më pas nuk janë kthyer më në takim, ndërmjetësi, Piter Van Haute, sot nuk ka thirrur takim të ri të grupit të punës. 
 
Jozyrtarisht mësohet se Van Haute me ndihmën e ekspertëve evropianë tashmë po e shkruan përmbajtjen e ligjit, të cilin do ta dorëzojë nesër në grupin e punës.
 
Grupet e punës kanë afat deri nesër në mesnatë t’i përputhin qëndrimet për çështjen e KSHZ-së, Listës Zgjedhore dhe votimin e diasporës.
 
Ndërsa deri më tani partitë kanë arritur marrëveshje vetëm për numrin e anëtarëve të KShZ-së.
 
Tre do t’i takojnë opozitës, tre pushtetit dhe tre ekspertëve që do të duhet t’i votojnë deputetët në parlament.
 
SANIJE KASAMI