Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Karter: Rusia po ndjek “strategji humbëse” në Siri
Rusia po ndjek “strategji humbëse” në Siri...

Kështu deklaroi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Eshton Karter, i cili gjendet në turne pesëditëshe në Evropë për bisedime me aleatët në koalicionin shumëkombës, të udhëhequr nga Uashingtoni, që ndërmerr sulme ajrore kundër luftëtarëve të grupit ekstremist, “Shtetit Islamik”, në Irak dhe në Siri.
Rusia e ka përshkallëzuar luftën civile në Siri, prandaj sekretari amerikan Karter shpreson se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, “do të vendos të konfrontohet me kërcënimin që paraqitet nga “Shteti Islamik” e nuk do t’i vazhdojë sulmet e njëanshme ajrore kundër opozitës së presidentit sirian, Bashar al-Assad.
"Ne kemi qenë duke vëzhguar aktivitetet ruse dhe shohim qëllimet e tyre. Rusia po ndjek strategji humbëse në Siri dhe tentativat e Moskës që ta përforcojë regjimin në Damask janë sikur ‘të kapesh në një anije që po mbytet’"- tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Eshton Karter.
Më 30 shtator, Rusia i ka filluar sulmet ajrore në Siri, duke pretenduar se cak i sulmeve janë militantët e “Shtetit Islamik” dhe kapacitetet e tyre ushtarake. Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, ka mirëpritur sulmet ajrore ruse, me ç’rast ka deklaruar se Siria, Rusia, Iraku dhe Irani janë të bashkuara në luftimin e terrorizmit.
Por, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka vlerësuar se fushata e bombardimeve të Rusisë është “gabim i rëndë”. “Hapat që Rusia po i ndërmerr dhe fushata e bombardimit në Siri janë krejtësisht të papranueshme për Turqinë”- tha Erdogan, duke parashikuar se këto sulme “do ta izolojnë Rusinë në rajon”. (Gyltene Sinani, TVM2)
