Maqedoni

Kriza me emigrantët, Maqedonia ka kapacitete, por nevojitet zgjidhje globale e problemit

05.10.2015 17:49

Periudhën që vjen pritet rritje e fluksit të emigrantëve që do të hyjnë në Maqedoni...

Nga Qendra për Menaxhim me Kriza thonë se Maqedonia ka kapacitete institucionale dhe njerëzore që të përballet madje me 5 mijë emigrantë në ditë, por mungojnë financat që të ofrohet ndihma e duhur.
 
“Kemi kapacitete institucionale, kemi kapacitete humane, kemi edhe vullnet edhe eksperiencë, por me të vërtetë për RM-në si një vend i vogël dhe i varfër paraqesin problem serioz financat. Mirëpo tanimë janë përgatitur të gjitha kërkesat dhe të gjitha institucionet që kanë të bëjnë me shpenzimet e tyre dhe këto kërkesa tani janë analizuar janë bashkuar dhe tani janë para donatorëve të RM-së për situatën me krizën”- deklaroi drejtoresha e Qendrës për Menaxhim me Kriza, Suzana Saliu.
 
Nga UNHCR thonë se po mbështesin maksimalisht qeverinë për t’u përballur me krizën e emigrantëve.
 
“Ne kemi bashkëpunuar shumë me qeverinë e vendit, duke dhënë mbështetjen tonë për t’u  përballur me krizën me emigrantët. Ne mbështesim qeverinë që t’u mundësojmë atyre kushte humane gjatë qëndrimit të tyre këtu”- tha përfaqësuesi i UNHCR-së në Maqedoni, Mohamed Arif.
 
Por, ambasadori i Italisë në Maqedoni tha se emigracioni është problem global. Për arritjen e zgjidhjes do të duhet të angazhohet e mbarë bota.
 
“Komisioni Evropian dhe shtetet tjera po tregojnë shenja të menaxhimit afatgjatë të situatës. Ne shpresojmë në një zgjidhje të shpejtë, e cila do të kontrollojë lëvizjen e emigrantëve, sigurinë e tyre si dhe të krijohet një strategji politike. Ne do të duhet të punojmë jo vetëm duke ju dhënë ndihmë emigrantëve, por edhe në parandalimin e këtij fenomeni”- theksoi ambasadori i Italisë, Ernesto Beleli.
 
Maqedonia nuk parashikon ngritje të gardhit në kufirin jugor me Greqinë për të parandaluar hyrjen e emigrantëve. Një gjë e tillë mohohet edhe nga Serbia.
 
“Serbia nga moment i parë ka qenë e hapur ndaj Maqedonisë. Në disa raste edhe kryeministri ynë ka deklaruar se Serbia asnjëherë nuk do të mbyllë kufijtë”- u shpreh ambasadorja e Serbisë, Dushanka Divjak Tomiq.
 
Në Maqedoni këtyre ditëve është shënuar rënie e fluksit të emigrantëve. Nga Kryqi i Kuq pohojnë se Maqedonia do të duhet ta dëshmojë veten edhe në periudhën që vjen me gjithë mundësitë që ka.
 
“Jemi përgatitur që në periudhën gjashtëmujore si organizatë të mund t’i përgjigjemi nevojave të afër 110 mijë refugjatëve. Ato janë pritjet tona të cilat mendojmë se do të ndodhin deri në fund të marsit”- tha sekretari i përgjithshëm në Kryqin e Kuq, Sait Saiti.
 
Sipas informacioneve të MPB-së, nga fillimi i vitit e deri tani në Maqedoni kanë hyrë rreth 200 mijë emigrantë.
 
MERAL  ISMAILI