Rriten pensionet e pensionistëve për 621 denarë

05.10.2015 17:55

Rreth 300 mijë pensionistë në vend sot do të kenë xhirollogarinë më të pasur për 621 denarë...

Me ndryshimet ligjore pensionistëve u sigurohet që të marrin pensionet me plus 621 denarë, ndërsa me këtë rritje rroga mesatare e pensioneve arrin vlerën e 13.085 denarëve.

Kjo është një rritje për 70% në krahasim me vitin 2006, kur atëherë rroga mesatare e pensioneve ishte 7,663 denarë.

Pensionet pritet të rriten edhe vitin e ardhshëm. Në tetor të vitit 2016 pensionet do të rriten me 650 denarë shtesë. Deputetët të enjten në një procedurë të shkurtë mbështetën ndryshimet e Ligjit për sigurimin pensional dhe invalidor dhe Ligjin për mbrojtje sociale, që parasheh rritjen e pensioneve dhe mirëqenies sociale.

Mjetet për rritjen e re tashmë janë siguruar me propozim-buxhetin për vitin 2016. Sipas një përllogaritje të fondit pensional, 298.171 persona janë shfrytëzues të pensioneve. (Ersan Pajaziti, TVM2)