Përmbytje në Karolinë, 8 të vdekur, shpallet gjendje e jashtëzakonshme
Të paktën tetë persona kanë humbur jetën si pasojë e motit të keq në veri dhe jug të Karolinës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës....

Një stuhi e tillë nuk është parë në vend që prej 1000 vjetësh, teksa lumi Congaree arriti nivelin më të lartë që prej vitit 1936.
Gjashtë viktima u shënuan në Karolinën e Jugut, katër prej tyre humbën jetën gjatë aksidenteve rrugore, kurse dy të tjerë humbën jetën në Karolinën e Veriut.
Rrugët dhe shtëpitë janë nën ujë, teksa qindra banorë janë evakuuar. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të mos dalin nga shtëpitë dhe të mos udhëtojnë për shkak të rrugëve të pasigurta dhe ndalimit të qarkullimit në tetë qytete dhe qarqe. Sot shkollat, universitetet dhe disa autostrada janë mbyllur.
Presidenti, Barack Obama, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Karolinën e Jugut të shtunën, duke i vënë fondet federale në dispozicion. Edhe pse Shërbimi Kombëtar i Motit kishte njoftuar gjatë gjithë javës për ndryshimin e kushteve të motit, sërish situata doli jashtë kontrollit.
