Tajfuni godet Kinën, 6 viktima, 16 të zhdukur, 200 të lënduar
Një tajfun i fuqishëm me erë, që arriti në 180 kilometër në orë, goditi bregun jugor të Kinës, duke shkaktuar viktima, përmbytje dhe dëme të mëdha materiale...

Sipas Agjencisë së Lajmeve “Xinhua”, të paktën gjashtë persona humbën jetën, mbi 200 janë plagosur, kurse autoritetet kanë shpallur gjendjen e emergjencës në të gjithë vendin. Të dielën, tajfuni “Mujigae” bllokoi disa peshkarexha në det dhe, sipas mediave, 16 peshkatarë rezultojnë ende të zhdukur.
5 persona humbën jetën si pasojë e uraganit në qytetin Foshan, teksa shumë autostrada në jug janë mbyllur si pasojë e shirave dhe erërave të forta. Por, gjithashtu janë paralizuar edhe fluturimet dhe shërbimet hekurudhore.
Tajfuni ka shkaktuar shumë dëme materiale të cilat për momentin nuk janë të llogaritura ekzaktësisht dhe ka lënë shumë zona pa energji elektrike, ujë dhe linja telefonike. Stuhia ka prishur planet e shumë qytetarëve për të udhëtuar gjatë javës së pushimit që nis sot në Kinë.
