Botë

Aeroplanë rusë shkelin hapësirën ajrore turke, reagon Turqia dhe NATO

06.10.2015 12:06

Sulmet ajrore ruse në Siri dhe shkelja e hapësirës ajrore turke nga aeroplanët rusë kanë tensionuar raportet turko-ruse, por edhe mes NATO-s dhe Rusisë...

Sulmet ajrore ruse në Siri dhe shkelja e hapësirës ajrore turke nga aeroplanët rusë kanë tensionuar raportet turko-ruse, por edhe mes NATO-s dhe Rusisë, anëtare e së cilës është Turqia.

Turqia ka thirrur sërish për një bisedë ambasadorin rus në Ankara, Andrei Karlov, pas shkeljes së dytë të hapësirës ajrore turke nga ana e Rusisë, aeroplanët e së cilës po operojnë në Siri.

Ministria e Jashtme turke ka njoftuar se dy aeroplanë luftarakë turq të tipit F-16 e kanë detyruar aeroplanin rus që të largohet nga hapësira ajrore e Turqisë, pas rastit të parë që ndodhi të shtunën më 4 tetor.

NATO ka dënuar shkeljen ajrore të Turqisë nga ana e Rusisë, duke e cilësuar si veprim të rrezikshëm dhe të papërgjegjshëm.

Po ashtu NATO ka kritikuar sulmet ajrore të Rusisë në Siri, të cilat po i targetojnë grupet që po luftojnë kundër presidentit sirian, Bashar al–Assad.