Maqedoni

Grupet e punës, sot pritet marrëveshja për Kodin Zgjedhor

06.10.2015 12:18

Deri sonte në mesnatë përfundon afati deri kur partitë politike duhet të gjejnë zgjidhje për ndryshimet në Kodin Zgjedhor...

Deri sonte në mesnatë përfundon afati deri kur partitë politike duhet të gjejnë zgjidhje për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, por pak orë para skadimit të afatit palët mbajnë qëndrime të kundërta për shumë çështje.
 
Përparim në bisedime ka vetëm për atë që përzgjedhja e anëtarëve të KSHZ-së të bëhet në bazë të parimit: tre anëtarë të qeverisë, tre të opozitës dhe tre ekspertë të pavarur që do të zgjidhen me konkurs publik.
 
Në lidhje me kontrollin e Listës Zgjedhore, gjasat më të mëdha janë që ai të bëhet në teren, të cilin do ta realizonin komisione të përziera.  
 
Për diasporën, BDI kërkon heqjen e mandateve dhe përfshirjen e diasporës në listat brenda vendit.
 
Ndërsa LSDM kërkon që të mbeten 3 mandatet në diasporë, por të vendoset prag prej 85 deri 90% të mesatares së votave për zgjedhjen e një deputeti brenda vendit.
 
LSDM-ja përkrah edhe propozimet për formimin e Ministrisë së Diasporës, që sipas tyre do të përfaqësonte më mirë se deputetët kërkesat dhe nevojat e diasporës.
 
Për KShZ-në mbetet e hapur çështja e votimit me Badinter dhe çështja e organit që vendos për ankesat në shkallë të dytë.
 
Prandaj, Grupet punuese të partive politike sot i pret një ditë e gjatë ndoshta deri në orët e vona të natës.
 
Ndërsa ndryshimet e Kodit Zgjedhor do të duhet të miratohen edhe nga Kuvendi Republikan.