Ivanov ndau bursat “Boris Trajkovski”
Kryetari i Shtetit, Gjorge Ivanov, ndau bursat “Boris Trajkovski” 20 studentëve më të mirë nga “Siti Kolegj” për studime postdiplomike në studime ndërkombëtare në Universitetin “Shefild” në Britaninë e Madhe...

Bursat i siguroi MASh-i dhe Universiteti “Shefild”.
“Këto nuk janë bursa të thjeshta dhe ju nuk jeni bursistë të thjeshtë. Ju jeni pjesë e një procesi që i është përkushtuar dialogut, ndërtimit të besimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë mes shoqërisë maqedonase dhe greke”- deklaroi kryetari i Shtetit, Gjorge Ivanov.
“Apeloj që ju maksimalisht të angazhoheni, të shfrytëzoni mundësitë për zgjerimin e horizonteve të dijes, duke mos pasur brenga për aspektin financiar”- tha zëvendësministri i Arsimit, Spiro Ristovski.
Studimet master në biznes-administratë në Universitetin “Shefild” janë mundësi e mirë për ngritje akademike, thonë bursistët.
“Për mua kjo bursë paraqet një mundësi për ngritje profesionale, ku mund të përfitoj nga beneficionet e kuadrit akademik dhe shpresoj se do t’i implementojmë të gjitha aftësitë në profesionet tona”- theksoi bursisti, Filip Mlladrenovski.
“Kjo paraqet përgjegjësi dhe obligim që njohuritë që do t’i përvetësojmë atje, t’i bartim këtu dhe të mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë dhe zhvillim më të mirë ekonomik dhe social të shoqërisë”- u shpreh bursistja, Zhaklina Gerasimovska.
Në mesin e njëzet bursistëve të drejtën e bursës e fitoi një shqiptar, por që nuk ishte i pranishëm në këtë event. (Flutura Latifi, TVM2)
