Rama: Marrëdhëniet Shqipëri-ShBA në nivelin më të mirë
Marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në nivelin më të mirë të mundshëm që shteti shqiptar ka me ndonjë shtet tjetër...

Kështu ka deklaruar kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili ka vënë në dukje se ndihma në demokratizimin e Shqipërisë dhe zgjidhja e Çështjes së Kosovës kanë bërë që ShBA-të të shihen si miku më i madh i shqiptarëve.
“Marrëdhëniet me ShBA-të janë më të mirat e mundshme që Shqipëria ka me një shtet tjetër. Nga ana tjetër janë këto marrëdhënie që i kanë dhënë një dimension tjetër edhe shqiptarëve jo vetëm në Shqipëri. Ndihma në demokratizimin e vendit tonë, por edhe zgjidhja e çështjes shqiptare të Kosovës, natyrisht se i dedikohen më së shumti dhe së pari ShBA-ve”- deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Këto komente Rama i bëri me rastin e shënimit të 20 vjetorit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, me ç’rast kryeministri Rama e cilësoi krijimin e këtij fondi në vitin 1995 nga presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Klinton, si fillimin e një kapitulli të ri për Shqipërinë dhe marrëdhëniet dypalëshe. Investimet e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit në Shqipëri kapin vlerën e 300 milion dollarëve. (Gyltene Sinani, TVM2)
