Vijon tensioni në Bregun Perëndimor, përleshje Izrael-Palestinë

06.10.2015 15:55

Forcat e Izraelit kanë nisur një operacion në Bregun Perëndimor pas dhunës dhe përleshjeve që kanë përfshirë vendin ditët e fundit...

Gjatë bastisjes së nisur që në orët e para të mëngjesit, të rinj palestinezë kanë qëlluar me gurë dhe sende të tjera të forta forcat e rendit. Ata sulmuan makinat ushtarake të tyre dhe dogjën goma makinash nëpër rrugë.

Sipas mediave palestineze, ushtria izraelite pas bastisjes së disa banesave ka arrestuar 2 shtetas palestinezë dhe një të tretë e arrestuan gjatë përleshjeve.

Në qytetin e Betlehemit, palestinezët nisën protesta të përgjithshme pas vrasjes së një të riu palestinez gjatë përleshjeve me ushtarët izraelitë. Një djalë 13-vjeçar humbi jetën nga një plumb në zemër.

Ushtria izraelite thotë se nuk ka informacion specifik, duke u distancuar nga ngjarja. Dhuna e intensifikuar javët e fundit në lindje të Jeruzalemit dhe në Bregun Perëndimor ka ngritur shqetësimin se konflikti mund të përshkallëzohet edhe më tej mes dy vendeve.