Zhernovski: Nuk ndërtohet rruga dhe shkallët spanjolle

06.10.2015 17:00

Kryetari i Komunës së Qendrës, Andrej Zhernovski, paralajmëroi se do të ndalohet ndërtimi i rrugës "13 nëntori" afër shëtitores së lumit Vardar dhe shkallëve spanjolle në këtë pjesë...

Zhernovski, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryetarin e LSDM-¬së, Zoran Zaev, theksoi se vendimi i opozitës nuk është politik dhe se dy javë deri në emërtimin e ministrave të rinj ka ofensivë të ndërtimeve të reja të projektit "Shkupi 2014".

“Do të sjellim ndalesë për ndërtimin e kësaj pjese, e cila e përfshin edhe Rrugën e Skelës, por vendimi do ta përfshijë edhe ndërtimin e shkallëve spanjolle dhe jo vetëm të kësaj rruge nebuloze. I bëjmë thirrje pushtetit që të heqë dorë nga ndërtimi i tyre, në të kundërt do të votojmë për ndalesë për të njëjtat”- tha kryetari i Komunës Qendër, Andrej Zhernovski.   

Sipas kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, qendra e Shkupit po bëhet vend gjithnjë e më problematik për të jetuar.

“Për projektin 'Shkupi 2014' nuk ka anketë dhe qytetarët nuk janë pyetur për investim prej 600 milionë eurosh. Komunikacioni i dendur, me këtë, meqë nuk ka infrastrukturë të përshtatshme, do të komplikohet edhe më shumë”- theksoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Ndaj akuzave të liderit të opozitës maqedonase, Zoran Zaev, dhe kryetarit të komunës Qendër, Andrej Zhernovski, ka reaguar  VMRO-DPMNE dhe Qyteti i Shkupit, duke sqaruar se të gjitha objektet që janë ndërtuar në Shkup janë bërë me kërkesat e popullit dhe me propozim dhe nënshkrimin e arkitektëve të arsimuar. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)