Mbaron afati për pakon zgjedhore, Hojt prezanton propozimet e tij
Partitë politike, nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës, për më shumë se dy muaj nuk gjetën zgjidhje për pakon zgjedhore...

Në ditën e fundit për përmbylljen e kësaj çështje, me propozim ka dalë ndërmjetësuesi, Piter Van Hojt. Sipas burimeve brenda grupit të punës, Hojt ka prezantuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor dhe propozim/zgjidhje për të gjitha çështjet që duhej dakorduar, në harmoni me Marrëveshjen politike të dy qershorit dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR-it.
Jozyrtarisht mësohet se Hojt, ndër të tjera, propozon që Lista Zgjedhore të kontrollohet në terren, nisur nga pikat kontestuese dhe në mënyrë paralele të bëhet përshtatje me të dhënat nga institucionet, votimi i diasporës të ndërpritet, ndërsa mediat të mos mund të jenë donatorë në fushatat parazgjedhore.
Edhe pse në kuadër të Grupit punues kanë qenë të ftuar edhe kryetarët e katër partive nënshkruese të Marrëveshjes, në prezantimin nuk mori pjesë kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevki, dhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti. Ky i fundit për shkak të angazhimeve private.
“Kompromisi duhet të arrihet sot”- tha Hojt para fillimit të takimit në Grupin Punues.
Edhe kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, thotë se pakoja zgjedhore duhet të mbyllet brenda afatit të dakorduar me komisionerin Han.
“Datën gjashtë e caktuam dhe e premtuam para komisarit Han, si datë të fundit për legjislacion zgjedhor, ku bën pjesë edhe kontrolli i Listës Zgjedhore. Që kjo është kështu tregon fakti që edhe unë jam ftuar në bisedime, supozoj se janë ftuar edhe krerët e partive të tjera. D.m.th. futemi në një “fotofinish”, ku besoj se do të gjejmë zgjidhjet më të mira në interes të qytetarëve të RM-së”- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Sa i përket votimit në diasporë, LSDM këmbëngul në vendosjen e pragut, pasi barazia e votës është e garantuar me Kushtetutë. Një zgjidhje të ngjashme e rekomandon edhe OSBE.
Bisedimet për pakon zgjedhore po rikthejnë fotografinë e bisedimeve për Ligjin për prokuror specia. Zvarritja deri në çastin e fundit dhe kompromiset nën presion ndërkombëtar dëshmojnë mungesën e vullnetit politik për zbatimin e kësaj marrëveshje. Një gjë të tillë, kohë më parë e deklaroi vetë ndërmjetësuesi, Hojt. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
