Maqedoni

BDI dhe VMRO-DPMNE, Shilegov: Gruevski pranoi se "bombat" janë autentike; Dimovski: Zaev dha fjalë për një ligj të tillë

06.10.2015 18:01

BDI dhe VMRO-DPMNE kanë dorëzuar në Kuvend propozim-ligj për ndalimin e publikimit të audio-xhirimeve nga materialet e përgjuara...

Kjo zgjidhje ligjore është dakorduar nga liderët e partive politike në prani të zyrtarëve të huaj, gjegjësisht në momentin kur është arritur marrëveshje për Ligjin për prokuror special, tha koordinatori i BDI-së, Talat Xhaferi.
 
Me këtë Ligj mediat obligohen të largojnë nga ueb-faqet e tyre të gjitha materialet që kanë të bëjnë me materialet e përgjuara. 
 
“Me këtë Ligj dua të theksoj se përcaktohet ndalesa për posedim, përpunim publik dhe shfrytëzim të materialeve që burojnë nga përgjimet e paligjshme. Parashihet gjithashtu sanksionim për dorëzimin e tyre prokurorit special. Për këtë shkak parashihen edhe norma ndëshkuese për ata persona që posedojnë ose shfrytëzojnë materialet në fjalë pas hyrjes në fuqi të këtij Ligji”- tha Talat Xhaferi nga BDI.
 
Pas njoftimit të BDI-së, në Kuvend LSDM dhe VMRO-DPMNE shprehën reagimin e tyre ndaj Ligjit për moratoriumin mbi materialet e përgjuara.
 
Sipas Peter Shilegovit, kjo nuk është pjesë e marrëveshjes politike dhe nënshkruesit as që kanë diskutuar për një ligj të tillë, por me dorëzimin e këtij propozim-ligji pranojnë se "bombat" janë autentike. 
 
Ndërsa sipas Ilija Dimovskit, lideri i LSDM-së ka dhënë fjalë për ligj që ndalon publikimin e materialeve të përgjuara. 
 
"Dorëzimi i propozim-ligjit nga VMRO-DPMNE dhe BDI dhe materialet që sipas Nikolla Gruevski janë të montuara, papritmas i bënë materiale të përgjuara që me ligj duhet të ndalohen. Nuk ka njohje më të madhe publike nga VMRO-DPMNE dhe BDI për autenticitetin e përmbajtjes skandaloze të materialeve. Me këtë veprim dëshmojnë se frikohen nga materialet”- theksoi Petre Shilegov nga LSDM.
 
"Çdo përpjekje  e LSDM-së për të demantuar kryetarin e tyre është çështje e tyre e brendshme. Por, obligimi është ndërmarrë nga lideri i LSDM-së dhe ne besojmë se duhet të respektohet. Janë të pavërteta akuzat se dikush është i frikësuar apo ik nga këto materiale. Qëllimi është për të ndaluar keqpërdorimin e tyre, për mbrojtjen e rendit juridik dhe për të mbrojtur qytetarët që mund të jenë të shantazhuar, ose të detyrohen që të jenë nën kërcënim. Qëllimi është të mbrohen të drejtat e njeriut”- u shpreh Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
 
Deri tani nuk ka asnjë informacion kur Ligji do të jetë në seancë parlamentare.
 
SANIJE KASAMI