Maqedoni

Komisioni për Ndjekjen e Komunikimeve, deputetët me qëndrime të kundërta mbi Raportin e Pribe-së

06.10.2015 18:11

Kontrolli i shërbimeve sekrete filloi të shqyrtohet nga raporti i ekspertëve të BE–së, i kryesuar nga Rajnhard Pribe...

Deputetët e pozitës dhe opozitës në Komisionin për Ndjekjen e Punës të Shërbimeve Sekrete dhe Agjencisë për Ndjekjen e Komunikimeve, e komentuan ndryshe nga këndvështrimi i tyre këtë raport.
 
Kryetari i Komisionit për Ndjekjen e Komunikimeve, Goran Misovski, tha se Raporti i Pribesë vë në pah përgjimin e të gjitha poreve të shoqërisë në vend.
 
“Qeveria e VMRO-DPMNE-së ka shkelur rendin kushtetues, janë përgjuar politikanë të pushtetit dhe opozitës, gazetarë dhe sektori civil. Në këtë mënyrë e kanë mbajtur nën kontroll shoqërinë dhe e kanë siguruar pushtetin, kanë falsifikuar zgjedhjet. Nuk ka sektor ku Gruevski bashkë me bashkëpunëtorët e tij nuk ka ndërhyrë”- tha deputeti i PRSD-së, Goran Misovski.
 
Ndërkaq, deputeti i VMRO-DPMNE-së shprehu dyshimet mbi saktësinë e Raportit të Pribesë mbi përgjimet.
 
“Për vetëm shtatë ditë, zotërinjtë kanë arritur që të skenojnë situatën në Maqedoni dhe të përgatisin rekomandime. Unë personalisht kam rezerva për të gjitha të dhënat, pasi që është e pamundur që për një afat të shkurtër kohor të bëhen gjithë ato analiza. Bëhet fjalë për një raport subjektiv, pasi që është përpiluar në bazë të qëndrimeve të subjektive të bashkëbiseduesve të Pribesë”- deklaroi deputeti i VMRO–DPMNE-së, Pavle Sazdov.
 
Deputeti i PDSh-së, Ernad Fejzullahu, tha se shërbimet sekrete janë të prirur në baza nacionale. Shqiptarët, sipas tij, me akte të shërbimeve sekrete kanë qenë nën mbikëqyrje, janë përgjuar dhe ndjekur fizikisht.
 
“Shikuar nga këndvështrimi ynë si shqiptarë, shërbimi sekret maqedonas është i brumosur brenda nga antishqiptarizmat”- theksoi Ernad Fejzullahu nga PDSh.
 
LSDM drejtoi akuza ndaj ministrit të MPB-së, Mitko Çavkov, për mungesën e tij në punën e komisionit. Ai edhe pse i ftuar nuk u paraqit në seancë, në vend të tij u paraqit ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski.
 
MERAL ISMAILI