Botë

Kriza siriane, Erdogan “ia mbledh” Brukselit

06.10.2015 20:09

Presidenti turk Recep Tayip Erdogan i kërkoi Bashkimit Europian të hënën që të marrë në konsideratë krijimin e parajsave...

Presidenti turk Recep Tayip Erdogan i kërkoi Bashkimit Europian të hënën që të marrë në konsideratë krijimin e parajsave të sigurta dhe zonave të ndalim-fluturimit në Siri, si mënyrë për të frenuar krizën e emigrantëve.
 
Kërkesa erdhi edhe pse Erdogan sinjalizoi gjithashtu gadishmërinë e Ankarasë për të dsikutuar kërkesën e BE-së për më shumë kampe strehimi brenda Turiqsë. 
 
Në një rrugëtim historik të errësuar nga inkursionet ruse në hapësirën ajrore të Turqisë, Erdogan tentoi ta spostonte vëmendjen tek ai që e sheh si “dështim të Europës” për të pranuar më shumë refugjatë, apo edhe për të ndërhyrë në burimin e vërtetë të ngërçit: luftën civile siriane. 
 
Rrënjët e krizës së emigrantëve janë të zhytura thellë në konfliktin e Sirisë, u tha reporterëve kreu i shtetit turk pas një seri takimesh në Bruksel me zyrtarë të lartë të BE-së. 
 
Një nga mesazhet që ai përcolli gjatë ndalesës së tij ishte se europianët e kanë vetë fajin për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen sot. 
 
Me të drejtë, mendojnë ekspertët, presidenti turk e kritikoi BE-në se e ka injoruar për një kohë të gjatë dramën e refugjatëve të luftës me bindjen se nuk do të prekej prej saj. 
 
Rreth katër milionë sirianë të shpërngulur janë strehuar tashmë në vendet fqinje, gati gjysma e tyre në Turqi.
 
Erdogan ka gjithashtu të drejtë kur vë në dukje se në Bruksel paniku shpërtheu vetëm kur gjithmonë e më shumë njerëz morën rrugën drejt Europës, vlerësojnë ekspertët. 
 
Tani, në pikëpamjen e tyre, Erdogan është në një pozicion të favorshëm dhe përpiqet për t'i bërë shantazh BE-së me të gjitha format.
 
Kështu ai e bëri të qartë se, për të bashkëpunuar në këtë çështje kërkon çmimin më të lartë të mundshëm. 
 
“BE-ja duhet të pranojë që ai do të rifillojë si në Irak edhe në Siri luftën e tij ndaj kurdëve”, konsiderojnë analistët. 
 
Ai madje shkoi aq larg sa i barazoi organizatat e tyre me ISIS-in dhe bëri thirrje për luftë të përbashkët kundër të gjithëve që i quan terroristë, duke kthyer kështu një moment politik në “asin e vet nën mëngë” kundër atyre kurdëve që rrokën armët dhe luftuan për Kobanen me militantët e dhunshem të Shtetit Islamik./Top Channel