Maqedoni

Hyn në fuqi Ligji i ri për komunikacion, në Shkup 18 aksidente trafiku, një i vdekur

07.10.2015 14:34

Me gjithë fushatat dhe gjobat e shtuara, ende shoferët dhe këmbësorët vazhdojnë të thyejnë rregullat e komunikacionit

Me gjithë fushatat dhe gjobat e shtuara, ende shoferët dhe këmbësorët vazhdojnë të thyejnë rregullat e komunikacionit, duke shkaktuar aksidente me pasoja të rënda. Vetëm në 24 orët e fundit, në Shkup janë regjistruar 18 aksidente me pasojë një të vdekur dhe 17 të lënduar.
 
Prej sot hyjnë në fuqi ndryshimet e reja ligjore që parashikojnë gjoba të mëdha nëse shoferët e pakujdesshëm vendosin të ecin me shpejtësi më të madhe se 50 km në orë në zonat e banuara.
 
Këto ndryshime kanë si qëllim pikërisht mbrojtjen e jetëve të kalimtarëve, por edhe të shoferëve. Ju përkujtojmë se, nëse në vende të banuara ngisni makinën me shpejtësi më të madhe se 50 kilometra në orë, gjoba është 400 euro, ndërkaq pason edhe ndalesa për drejtim të automjetit gjashtë deri në 12 muaj.
 
Në pajtim me ndryshimet ligjore, për fëmijët deri në pesë vjet në automjet prej tani duhet të ketë karrige për fëmijë në pjesën e pasme.
 
Fëmijët deri në moshën dyvjeçare do të mund të ulen në vendin e pasagjerit, në karrige për fëmijë, por në këtë rast fëmija duhet të kthehet me fytyrën nga pjesa e pasme e automobilit. Me këtë rast, jastëku i ajrit duhet të çaktivizohet. 
 
Risi edhe për pjesëmarrësit e tjerë në trafik. Çiklistët janë të obliguar të kenë dritë të bardhë në pjesën e përparme, katadiopter me ngjyrë të kuqe ose shirit të reflektuar në pjesën e pasme, si dhe nga një katadiopter me ngjyrë të verdhë ose portokalli në çdo anë.
 
Mbajtja e helmetës ose jelekut të reflektuar është e rekomandueshme, por jo e obligueshme.
 
Por, ligji i ri nuk mendon vetëm për jetën e njerëzve, por edhe për ambientin jetësor. Janë rritur edhe gjobat, nga 25 në 100 euro, në rast se ndonjë automjet kyçet në komunikacion nga një rrugë me baltë paraprakisht pa u larë.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI