Botë
Turqia lëshon alarmin, priten edhe 3 milionë refugjatë në Evropë
07.10.2015 12:38
Zyrtarë të lartë të Ankarasë kanë paralajmëruar Bashkimin Evropian se miliona refugjatë të tjerë priten të zbarkojnë në kontinent...

Zyrtarët turq thonë se 3 milionë refugjatë të tjerë pritet të zhvendosen nga Siria. Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, thotë se përfshirja e Rusisë dhe Iranit në Siri do të mbajë Aassad-in në pushtet.
Për autoritetet evropiane kjo do të shkaktonte pakënaqësi në radhët e sirianëve, të cilët e shohin emigrimin nga zona e luftës si zgjidhjen e vetme.
Edhe për Organizatën Ndërkombëtare të Emigracionit përshkallëzimi i aktivitetit ushtarak në rajon do të krijojë një valë të re emigrantësh për Evropën.
Britania e Madhe ka lëshuar thirrjen që nuk i përballon dot miliona emigrantë çdo vit, pasi kjo, sipas sekretares Theresa May, do ta bënte të pamundur ndërtimin e një shoqërie të shëndetshme. Realiteti tregon se që prej ditës së diel rreth 100 refugjatë kanë humbur jetën në tentativë për të arritur brigjet e Evropës.
Por, deklarata e ministrit libanez të Arsimit, Elias Bou Saab, se 1 në 50 refugjatë sirianë mund të jenë terroristë, ka zgjuar frikën në Kontinentin e Vjetër dhe autoritetet kanë përforcuar kontrollet e personave që kërkojnë azil.
Ndërkohë, një sondazh i fundit në Amerikë tregon frikën e shumicës së njerëzve atje nga një kërcënim terrorist. Sondazhi tregon se 56% e pjesëmarrësve u shprehën se pranimi i refugjatëve i kthen Shtetet e Bashkuara në një vend të rrezikshëm për të jetuar.
