Botë

Kriza e klandestinëve, BE nis aksionin “Sophia” kundër trafikantëve

07.10.2015 12:50

Bashkimi Evropian ka nisur një operacion të ri në jug të Mesdheut me qëllim kapjen e anijeve që kontrabandojnë emigrantët...

I koduar me emrin “Sophia”, gjatë këtij operacioni anijet detare do të jenë në gjendje të kërkojnë, identifikojnë dhe kapin anijet që dyshohen se po përdoren për kontrabandim të qenieve njerëzore.
 
Operacioni “Sophia”, faza e dytë ka marrë këtë emër pas lindjes së një fëmije në bordin e një anije shpëtimi të Bashkimit Evropian në brigjet libiane gjatë muajit gusht.
 
Sipas autoriteteve që drejtojnë këtë operacion,  qëllimi është kapja e trafikantëve, teksa deri tani operacionet janë fokusuar në shpëtimin e jetëve të emigrantëve.
 
Sipas ekspertëve të migrimit, ky operacion do të dështojë nëse bandat kriminale nuk luftohen gjithashtu nga vendet e bllokut.
 
Kriza e thellë e emigrantëve ka çuar në një krizë të thellë politike Bashkimin Evropian, pasi shumë vende anëtare refuzojnë të kontribuojnë në këtë fluks emigrantësh. 
 
E ndërkohë që vendet e BE-së nuk merren dot vesh për numrin e refugjatëve që duhet të  strehojnë, golgota e të larguarve nga zonat e luftës vazhdon tani rrugëve të Evropës. 
 
“Ne po presim tanimë 18 ditë”- u shpreh një emigrante. 
 
“Po, 18 ditë”- theksoi një emigrante. 
 
“Madje disa shokë të mi tanimë presin për 30 ditë”- tha një emigrant. 
 
Që nga janari 2015, më shumë se 130.000 emigrantë dhe refugjatë kanë hyrë në Evropë nëpërmjet Mesdheut, ku më shumë se 2.700 prej tyre janë mbytur.
 
Edhe pse aktualisht shumica e emigrantëve po zgjedhin itinerarin nga Turqia në drejtim të Evropës, rruga më vdekjeprurëse mbetet Libi-Itali.
 
LEUNORA KALIQI