MAQEDONI
Propozim-ligji, reagojnë gazetarët, ShGM: Kushtetuta e RM-së ndalon cenzurën
07.10.2015 14:37
Me propozim-ligjin për ndalesë të publikimit dhe posedimit të materialeve të përgjuara...

Me propozim-ligjin për ndalesë të publikimit dhe posedimit të materialeve të përgjuara, në vend të përmirësimit të lirisë së shprehjes dhe pavarësisë së mediave, qeveria po tenton të eliminojë lirinë e shprehjes dhe të diktojë gazetarët se çka duhet të informojnë e çka jo, vlerëson Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë. ShGM, ashtu si qëndron në reagimin me shkrim, kërkon tërheqje urgjente të propozim-ligjit nga procedura parlamentare.
“Ky propozim-ligj i papranuar e shkel Kushtetutën, ku në nenin 16 thuhet se cenzura është e ndaluar. Përveç asaj, Konventa Evropiane për Lirinë dhe të Drejtat e Njerëzve, të cilën Maqedonia është e obliguar ta respektojë, pa mëdyshje e mbron lirinë e shprehjes”- thuhet në reagimin e ShGM-së.
Gjithashtu në lidhje me propozim-ligjin për ndalimin e “bombave”, ka reaguar edhe Info-Qendra. Propozim-ligji për ndalimin e posedimit dhe publikimit të materialeve është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, shprehen nga OJQ “Info-Qendra”, duke shtuar se ky propozim-ligj i thyen të gjitha të drejtat elementare të qytetarëve të lidhura me lirinë e shprehjes, mendimit dhe qasjen e lirë deri tek informimi.
ERSAN PAJAZITI
