MAQEDONI

Propozim-ligji për “bombat”, partitë e vogla kërkojnë tërheqjen e tij

07.10.2015 14:58

Një ditë pas propozim-ligjit nga ana e VMRO-së dhe BDI-së për ndërprerjen e publikimit të “bombave”, kanë reaguar subjekte dhe lëvizje politike...

Lëvizja BESA ka dënuar  ashpër propozim-ligjin për ndalimin e publikimit të “bombave”.
 
Përmes një reagimi me shkrim, BESA kërkon që qeveria aktuale të ndryshojë qëndrim dhe ta tërheqë urgjentisht propozim-ligjin nga procedurat e mëtejme parlamentare. 
 
“Dënojmë ashpër propozim-ligjin të dyshes siameze politike, VMRO-BDI, që me ligj të ndalohet publikimi i “bombave”. Në propozim-ligjin në fjalë është propozuar që të largohen nga hapësirat mediatike të gjitha “bombat” që deri tash janë publikuar, ndërsa nëse dikush nuk e respekton këtë normë, dënimi për këtë vepër të jetë katër vite burgim”- thuhet në njoftimin e Lëvizjes BESA.
 
“Kjo tendencë për të ndaluar gjithçka që është në dëm të tyre dhe për të kontrolluar gjithçka, lirisht mund të krahasohet me diktatorin veri-korean, Kim Jong, madje për shumëçka ai mund t’u marrë lakmi qeveritarëve tanë”- thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA. 
 
Edhe Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit thotë se do të protestojë kundër Ligjit për ndalimin e materialeve të përgjuara. Ata konsiderojnë se ky është sulm ndaj demokracisë dhe lirisë së shprehjes.
 
“Lidhja demokratike do t’i përdorë të gjitha mjetet demokratike për ta ndaluar këtë Ligj, njëherit edhe ftojmë deputetët ta ngrenë zërin e arsyes”- thuhet në kumtesën e Lidhjes Demokratike.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU